Apeli konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj Damkës
Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj zëvendëskryeministrit Fikrim Damka dhe ish-ushtruesit të detyrës së sekretarit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Gjykata e Apelit në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj zëvendëskryeministrit Fikrim Damka dhe ish-ushtruesit të detyrës së sekretarit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Besim Kamberajt. Me këtë vendim, Apeli ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale ndaj dy të pandehurve për veprën “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” në bashkëkryerje, ndërsa ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e kishte hedhur poshtë aktakuzën.
Damka dhe Kamberaj akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre, duke përfituar në mënyrë të paligjshme rreth një milion euro për dy organizata joqeveritare: “Caritasin Zviceran” dhe “Germin”. Gjykata e Apelit ka konstatuar se provat e çështjes krijojnë dyshim të bazuar mirë se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, ndërsa procedura penale ndaj tyre do të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor.