Agron Dedivanaj bashkon shqiptarët në Triesh
Nik Gjeloshaj, zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë, dhe Lindon Gjelaj ndër të pranishmit e mbrëmjes.
TRIESH — Familja Dedivanaj organizoi një mbrëmje madhështore në rezidencën e atdhetarit Agron Dedivanaj, duke mirëpritur personalitete të jetës politike, institucionale, kulturore, afariste dhe të diasporës shqiptare. Të pranishmit u bashkuan nga trevat shqiptare e diaspora, në një atmosferë festive, plot respekt e frymë shqiptarie.
Këtë organizim e nderoi me praninë e tij zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Nik Gjeloshaj, së bashku me kryetarin e Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, e shumë personalitete të tjera nga jeta publike, përfaqësues institucionesh, veprimtarë të çështjes kombëtare, afaristë e përfaqësues të diasporës.
Gjatë mbrëmjes u vlerësua kontributi i familjes Dedivanaj e, në veçanti, i Agron Dedivanajt, i cili prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por e mban të fortë lidhjen me vendlindjen. Ndërtimi i rezidencës së tij në Triesh u cilësua si simbol i ruajtjes së identitetit kombëtar e i respektit për rrënjët.
Moment i veçantë ishte festimi i ditëlindjes së Zef Berishajt, kryetar i Shoqatës «Jehona e Malësisë», personalitet i njohur për kontributin në ruajtjen e trashëgimisë kulturore e traditave të Malësisë. Të pranishmit i uruan atij shëndet e suksese në misionin në shërbim të komunitetit.
Muzika, këngët shqipe, vallet tradicionale e bisedat miqësore e kthyen mbrëmjen në një festë uniteti e krenarie kombëtare. Të pranishmit u ndanë me bindjen se takime të tilla forcojnë lidhjet, ruajnë traditën dhe e mbajnë Trieshin pikë referimi të shqiptarisë.
Burim: Diaspora Shqiptare
— Redaksia ZHURMA


