Abdixhiku takon ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves
Kryetari i LDK-së ka pritur në selinë qendrore ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në Selinë Qendrore të partisë ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Gjatë këtij takimi, dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, si dhe për procesin e konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës. Sipas njoftimit të LDK-së, kreu i kësaj partie e ka njoftuar diplomatin britanik rreth qëndrimeve të subjektit që ai drejton lidhur me zhvillimet e fundit që po ndodhin në vend.
Në këtë takim është vënë theksi te përkushtimi i LDK-së ndaj mbrojtjes së interesit të Republikës së Kosovës, si dhe te funksionalitetit i institucioneve demokratike. Kryetari i LDK-së ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë dhe vazhdon t'i japë Kosovës, duke vlerësuar lart rëndësinë e partneritetit ndërmjet dy vendeve. Sipas njoftimit zyrtar, është theksuar rëndësia e partneritetit të fuqishëm dhe e bashkëpunimit të ngushtë në funksion të demokracisë, sundimit të ligjit dhe stabilitetit të Republikës së Kosovës.
Burimet: TV Prizreni; Zhurnal.mk; Telegrafi; Sinjali; Epoka e Re (klaster 6 outlets).