Policia kap 16-vjeçarin në Tiranë — mbante mbi 300 doza kokainë e kanabis
Operacioni i koduar 'Hideaway' u zhvillua në rrugën 'Jordan Misja', ku adoleshentit iu sekuestruan edhe shuma parash në lekë e euro e dy celularë.
TIRANË — Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, kanë arrestuar në flagrancë një 16-vjeçar me mbi 300 doza kokainë dhe kanabis. Arrestimi i të miturit u krye në rrugën Jordan Misja gjatë operacionit të koduar Hideaway.
Sasia e lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, e ndarë në doza gati për shitje, u sekuestrua gjatë kontrollit fizik ndaj adoleshentit si dhe kontrollit të vendit ku ai u konstatua. Lëndët ishin të ndara në më shumë se 300 doza gati për t'u shpërndarë.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi edhe një shumë parash në lekë dhe euro, të cilat dyshohet se janë përfituar drejtpërdrejt nga shitja e dozave të lëndës narkotike. Gjithashtu, të miturit iu sekuestruan edhe dy aparate celularë që dyshohet se përdoreshin për realizimin e këtij aktiviteti kriminal.
Pas arrestimit të 16-vjeçarit, vijon puna nga strukturat hetimore për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të cilët dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari. Materialet procedurale për këtë rast i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale.
Burim: Top Channel
— Redaksia ZHURMA