ZKA nis auditimin e performancës për furnizimin me ujë të pijshëm
Zyra Kombëtare e Auditimit ka nisur një auditim performance për të vlerësuar masat institucionale rreth sigurisë dhe furnizimit me ujë të pijshëm.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Zyra Kombëtare e Auditimit ka nisur auditimin e performancës me temën «Efektiviteti i monitorimit dhe mbikëqyrjes së furnizimit me ujë të pijshëm», i cili do të përfshijë periudhën nga janari 2024 deri në shtator 2026. Sipas ZKA-së, qëllimi i këtij procesi është vlerësimi i efektivitetit të masave institucionale për qasjen në shërbimet publike të ujësjellësit, vazhdimësinë e furnizimit dhe identifikimin me kohë të rreziqeve që mund të cenojnë sigurinë e ujit.
Në fokus të këtij auditimi do të jetë Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, ndërsa si raste studimi janë përzgjedhur Kompania Rajonale e Ujësjellësit «Prishtina» dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit «Hidroregjioni Jugor». Po ashtu, procesi do të përfshijë edhe monitorimin e cilësisë së ujit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Ky auditim po realizohet në kuadër të Planit Vjetor të Auditimit 2026–2027 dhe në koordinim me Iniciativën për Zhvillim të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, duke u ndërlidhur me Objektivin 6 të Zhvillimit të Qëndrueshëm për qasje në ujë të pijshëm të sigurt për të gjithë.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar