Taulant Bytyqi dyshohet se qëndron pas profilit linçues 'Lule Gjeli'
Gazetari Berat Buzhala njoftoi se pas llogarisë që sulmon kritikët e pushtetit qëndron Taulant Bytyqi, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara.
PRISHTINË — Gazetari Berat Buzhala ka zbuluar se Taulant Bytyqi, një shtetas që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dyshohet se qëndron prapa profilit denigrues 'Lule Gjeli' në rrjetin social Facebook. Ky profil njihet prej kohësh për fushata linçuese dhe gjuhë të rëndë fyese ndaj figurave publike që kritikojnë pushtetin aktual.
Sipas informacioneve të bëra publike, Bytyqi raportohet se ka raporte të afërta me drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe me zyrtarë të tjerë të punësuar nga Dejona Mihali në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Pas publikimit të identitetit të tij, qytetarë të shumtë kanë denoncuar sjelljet dhe shantazhet e tij sistematike ndaj tyre.
Ky profil kohët e fundit shkoi deri aty sa të publikonte një njoftim të rremë për vdekjen e deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti. Më parë, faqja kishte shpërndarë montazhe të manipuluara me inteligjencë artificiale me karakter seksual ndaj ish-presidentes Vjosa Osmani, si dhe kishte fyer zyrtarët amerikanë Wesley Clark dhe James Rubin.
Fushata e sulmeve ka shënjestruar në mënyrë të veçantë gratë në politikë, përfshirë deputetet Doarsa Kica dhe Blerta Deliu, sa herë që ato janë pozicionuar kundër partisë në pushtet. Pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme publike, Lëvizja Vetëvendosje nuk është distancuar dhe as nuk ka dënuar aktivitetin e këtij profili dhe llogarive të ngjashme.
Një pjesëtar i stafit diplomatik ka pohuar se ky person e ka shantazhuar atë prej vitesh dhe policia ka heshtur. Sipas këtij dëshmitari, familja e tij banon në lagjen Tasligje në Prishtinë, ngjitur me shtëpinë e kryeministrit të Kosovës, ku Bytyqi është parë mbi pesë herë duke u futur.
Burim: Nacionale
— Redaksia ZHURMA