Xhudistët e rinj të Kosovës fitojnë dy medalje të arta në Greqi
Talentet e grupmoshës U16 shkëlqejnë në Kampionatin Ballkanik, duke rrëmbyer dy medalje të arta dhe një të bronztë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Talentet e rinj të grupmoshës U16 të xhudos kosovare kanë shkëlqyer në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në qytetin Arta të Greqisë, duke u stolisur me dy medalje të arta dhe një të bronztë. Lajmin e ka bërë të ditur kryetrajneri i xhudos kosovare, Driton Kuka, i cili ka përgëzuar paraqitjen e garuesve përballë një konkurrence të ashpër.
Teuta dhe Emira dominuan kategoritë e tyre duke fituar medaljet e arta, ndërsa Anuari siguroi medaljen e bronztë. Një paraqitje dinjitoze pati edhe Norgena, e cila regjistroi katër fitore radhazi dhe u rendit në vendin e pestë pas luftës vendimtare për medalje. Ekipi i Kosovës në këtë garë po udhëhiqet nga trajneri Meli Zeka, pjesë e shtabit teknik të xhudos.
«Gjenerata që vjen! Teuta,Emira,Anuari e Norgena sot ishin të shkelqyeshëm! Ballkaniku U16 ishte sot garë e fortë dhe secilit iu desht të fitoj së paku 4-5 lufta deri në lufttat për medalje! Teuta e Emira të arta, Anuari i bonztë e Norgena pas plot 4 fitoreve erdhi deri në luftën për medalje dhe mbeti e 5.», ka shkruar Kuka në postimin e tij.