VV nxiton të zgjedhë drejtorin e ri të Sekretariatit të KQZ-së
Testimi me shkrim i kandidatëve nis më 24 korrik, ndërsa u.d. e presidentes Albulena Haxhiu ende nuk ka emëruar anëtarin e dytë të PDK-së.
PRISHTINË — Lëvizja Vetëvendosje po synon zgjedhjen e shpejtë të Drejtorit të Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (SKQZ), duke caktuar fazën e parë të intervistave me shkrim më 24 korrik. Ky rekrutim po zhvillohet në një kohë kur ky institucion kyç zgjedhor mbetet i pakompletuar dhe pa një anëtar të opozitës.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të emëruar anëtarin e dytë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në KQZ. Ky mosveprim i Haxhiut e ka lënë opozitën me një votë më pak, duke ndryshuar balancën e forcave brenda komisionit.
Në përbërjen aktuale, Vetëvendosje përfaqësohet nga Violeta Salihu dhe Alban Krasniqi, i cili është bashkëshorti i Albulena Haxhiut. Duke bashkuar votat me tri komunitetet pakicë në bashkëqeverisje, partia në pushtet mund të mbivotojë lehtësisht opozitën gjatë përzgjedhjes me votim të fshehtë të drejtorit të ri.
Pozita e Drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së është zyrtari më i lartë administrativ dhe menaxhon stafin e buxhetin e institucionit. Ky post konsiderohet i një rëndësie të veçantë, pasi drejton të gjithë administratën që organizon zgjedhjet në Kosovë, ndonëse nuk merr vendime të natyrës politike.
Konkursi për këtë pozitë ishte shpallur më 23 tetor të vitit 2025 dhe ishte mbyllur në nëntor të po atij viti. Procedimi i intervistave nëntë muaj pas mbylljes po vlerësohet si shkelje e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, i cili obligon institucionet që të veprojnë brenda afateve të arsyeshme.
Procedura e intervistimit do të zhvillohet nga një Komision i Pranimit prej pesë anëtarësh, me përfaqësues nga Gjykata Kushtetuese, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK). Kandidatët që kalojnë pragun prej 70 për qind të pikëve do të hyjnë në listën e ngushtë për votim.
Kjo ulëse e zbrazët kishte mbetur e paplotësuar edhe nga ish-presidentja Vjosa Osmani, e cila nuk e zbatoi aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 30 mars 2026. Edhe pse Haxhiu premtoi trajtim me prioritet kur mori detyrën më 5 prill, ajo lejoi mbajtjen e zgjedhjeve të qershorit me KQZ të mangët.
Burim: Demokracia
— Redaksia ZHURMA