← Shqipëri
Live · Shqipëri · 01:06 · 10 Korrik 2026

Pse rritet vlera e lekut ndaj euros?

Sipas Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 93.78 lekë, duke u nënçmuar me 0.11 lekë krahasuar me ditën e mëparshme

— Kursi i këmbimit të lekut ndaj euros po reflektojnë gjithnjë e më fortë efektet sezonale. Shtimi i fluksit të turistëve ka rritur ofertën për valutë në treg, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi monedhën e përbashkët. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 93.78 lekë, duke u nënçmuar me 0.11 lekë krahasuar me ditën e mëparshme. Ky është niveli më i ulët historik i regjistruar ndonjëherë. Në raport me fillimin e këtij viti, monedha e përbashkët është nënçmuar me 3.04%, ose gati 3 lekë. Për periudhën nga 3 janari deri më 8 korrik, një euro është këmbyer mesatarisht me 95.7 lekë, nga 97.8 lekë që ishte mesatarja e vitit 2025. Rënia është edhe më e fortë në një krahasim afatgjatë. Në raport me mesataren e vitit 2015, kur një euro këmbehej me 139.7 lekë, monedha e përbashkët është zhvlerësuar me 31.5%, ose rreth 44 lekë.

Aktorët e tregut pohojnë se forcimi i lekut lidhet me një kombinim faktorësh. Një prej tyre është fluksi i parave informale që hyri në vend pas vitit 2016 dhe u kanalizua kryesisht në sektorin e ndërtimit. Pas vitit 2022, një ndikim gjithnjë e më të madh kanë pasur edhe të ardhurat nga turizmi. Në vitin 2025, hyrjet e shtetasve të huaj në vend i kaluan 12 milionë. Rënia e ditëve të fundit lidhet kryesisht me efektet sezonale, si rrjedhojë e prurjeve valutore nga turistët gjatë sezonit veror.

Nënçmimi i euros ka dëmtuar ndjeshëm eksportuesit, si edhe sektorin turistik, i cili siguron një pjesë të të ardhurave në euro. Ai ka ulur gjithashtu vlerën në lekë të remitancave të emigrantëve. Në kahun tjetër, forcimi i lekut ka qenë pozitiv për importuesit, të cilëve u duhen më pak lekë për të blerë të njëjtën sasi mallrash në valutë. Përfitime ka pasur edhe buxheti i shtetit, që paguan më pak për shërbimin e borxhit të jashtëm, si edhe shqiptarët që udhëtojnë jashtë vendit për pushime apo qëllime të tjera.

Burim: Report Tv, https://report.al/efektet-sezonale-euro-arrin-nje-tjeter-minimum-historik-zbret-ne-93-8-leke/
— Redaksia ZHURMA

Reklamë · nga shtëpia
ZhurmaStudio
Përmbajtje, rrjete sociale, ueb dhe AI — nga ekipi që bën këtë faqe.
Njihu me Studion →
Lidhje nga arkiva

Të ngjashme

sipas temës · #shqiperi

Më të lexuarat sot

Top 10
Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.

Vure re një gabim në këtë artikull? Na shkruaj te zhurmapress@gmail.com — përgjigjemi brenda 72 orëve. · Standardet §6

Zbulo Zhurmën