Vazhdo leximin
e mërkurë, 14 tetor 2026 Ne bëjmë zhurmë
ZHURMA
⌕ ☆

Vendimet e mbledhjes së shtatë të Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës miratoi disa projektligje dhe ndau fonde në mbledhjen e fundit.

Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e shtatë, në të cilën ka miratuar disa projektligje dhe vendime të tjera. Ekzekutivi miratoi projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, projektligjin për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë, si dhe atë për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore. Ky i fundit do të ketë përgjegjësi për mbrojtjen e monumenteve dhe pasurive kulturore, përfshirë ndërhyrjen ndaj punimeve të paautorizuara dhe masat kundër dëmtimit të trashëgimisë.

Vendimet e mbledhjes së shtatë të Qeverisë së Kosovës
Foto: tvprizreni.net

Në këtë mbledhje u ndanë 1 milion e 852 mijë e 350 euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Po ashtu, u miratua subvencionimi i renovimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve pakicë në komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, si dhe kërkesat për autorizimin e ministrit përkatës për nënshkrimin e marrëveshjeve për sigurime sociale me Austrinë dhe Turqinë.

Qeveria miratoi themelimin e Grupit Punues për hartimin dhe koordinimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë, grup i cili do të kryesohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca. Ndër të tjera, u miratua Programi për Vlerësimin Ex-Post të Akteve Juridike për vitet 2026–2028, vendime për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare, tjetërsimin e automjeteve zyrtare të papërdorshme të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, si dhe kthimin e 5 mijë e 705 eurove në rastin e ndërmarrjes shoqërore «Komogllava».

Lexo edhe

Më shumë →
Facebook WhatsApp X
LIVE Rrethi i Çagllavicës Prishtinë 25 kamera →