Ujë me presion dhe gaz ndaj protestuesve te Ministria e Arsimit
Policia ka ndërhyrë me ujë me presion dhe spraj lotsjellës para Ministrisë së Arsimit, pasi situata u përshkallëzua gjatë protestës.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Forcat e rendit kanë ndërhyrë me ujë me presion dhe spraj lotsjellës me intensitet të lartë ndaj protestuesve të mbledhur para godinës së Ministrisë së Arsimit. Tubimi ka shënuar një përshkallëzim të ndjeshëm të tensionit, ndërsa protestuesit fillimisht kanë hedhur gurë dhe sende të tjera në drejtim të godinës.
Në këtë formë të re proteste, një grup vajzash janë vendosur në rreshtin e parë, të lidhura krah për krah me njëra-tjetrën, duke i paraprirë marshimit dhe duke brohoritur në drejtim të policisë. Pas ndërhyrjes së forcave të rendit me gaz dhe ujë për të shpërndarë turmën, protestuesit janë tërhequr në rrugën e Durrësit përtej ministrisë dhe më pas kanë hedhur sërish gurë dhe mjete piroteknike në drejtim të uniformave blu.
Ky zhvillim vjen në kuadër të protestave që po zhvillohen në vend, ndërsa situata vijon të mbetet e tensionuar në zonë.