Si do të ndryshojë kontrolli doganor në kufirin Shqipëri-Maqedoni e Veriut?

Pse Protokolli i ri për kontrollin e përbashkët kufitar synon të lehtësojë tregtinë dhe sigurinë?

Si do të ndryshojë kontrolli doganor në kufirin Shqipëri-Maqedoni e Veriut?
Foto: Wikimedia Commons

QAFË THANË — Administrata Doganore Shqiptare dhe ajo e Maqedonisë së Veriut po forcojnë bashkëpunimin dypalësh përmes hartimit të një Protokolli të ri për zbatimin e Marrëveshjes Ndërqeveritare për Kontrollet e Përbashkëta Kufitare.

Ky dokument synon rritjen e efikasitetit të kontrolleve doganore, lehtësimin e tregtisë dhe përmirësimin e menaxhimit të kufirit, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe objektivat e integrimit rajonal. Delegacionet e të dy administratave, të kryesuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare, Besmir Beja, dhe Drejtori i Administratës Doganore të Maqedonisë së Veriut, Boban Nikolovski, së bashku me përfaqësues të misioneve të OSBE-së në të dy vendet, zhvilluan një vizitë në pikën e përbashkët kufitare Qafë Thanë–Qafasan. Aty ata diskutuan mbi zbatimin praktik të Marrëveshjes dhe përfundimin e Protokollit.

Drejtori i Doganës Shqiptare, Besmir Beja, theksoi se bashkëpunimi ndërmjet dy administratave është një shembull konkret i partneritetit që sjell përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe biznesin. "Bashkëpunimi mes administratave tona doganore dëshmon se rezultatet arrihen kur ekziston vullneti për të punuar së bashku. Përmes këtij Protokolli do të harmonizojmë procedurat doganore, do të koordinojmë më mirë përdorimin e burimeve dhe do të forcojmë kontrollet, duke lehtësuar njëkohësisht tregtinë e ligjshme dhe lëvizjen e udhëtarëve," u shpreh Beja.

Nga ana e tij, Drejtori i Administratës Doganore të Maqedonisë së Veriut, Boban Nikolovski, vlerësoi nivelin e lartë të bashkëpunimit mes dy institucioneve. Ai theksoi se Protokolli do të kontribuojë në uljen e kohës së pritjes në kufi, përshpejtimin e flukseve tregtare dhe rritjen e besimit të komunitetit të biznesit. Përfaqësuesit e OSBE-së përshëndetën nismën si një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe sigurisë rajonale.

Ata vlerësuan se Protokolli përfaqëson kulmin e një bashkëpunimi të suksesshëm shumëvjeçar në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit, duke zgjeruar modelet ekzistuese të bashkëpunimit edhe në operacionet doganore. Protokolli i ri pasqyron angazhimin e përbashkët të Administratës Doganore Shqiptare dhe Administratës Doganore të Maqedonisë së Veriut për modenizimin e procedurave kufitare, rritjen e efikasitetit operacional, forcimin e sigurisë dhe lehtësimin e tregtisë, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian të rajonit.

Burim: Top Channel
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. 29-vjeçarja vdes në plazhin e Porto Novos në Vlorë
  2. Sa vende pune ka për t’u ofruar turizmi në Shqipëri?
  3. Si u arrestua Adi Çoba në Durrës dhe çfarë lidhje ka me mafien italiane?
  4. Sa kushtoi modernizimi i Drejtorisë së Policisë në Elbasan?

Vazhdo leximin