Si do të mbrohet Anglia nga zhurmëzimi i tifozëve meksikanë?
Çfarë masa ka marrë ekipi i Thomas Tuchel për të siguruar gjumë dhe fokus para ndeshjes së dielës?
MEXICO CITY — Anglia ka kërkuar ndryshime në hotelin ku do të qëndrojë para ndeshjes së 1/8-ës së Kupës së Botës kundër Meksikës, për të shmangur shqetësime nga tifozët vendas. Kjo vjen pasi Harry Kane frymëzoi fitoren e vonë ndaj RD Kongos, duke e çuar Anglinë në përballjen me "El Tri" të dielën në Stadiumin "Azteca", i cili ndodhet 2.200 metra mbi nivelin e detit. Thomas Tuchel e ka quajtur këtë lartësi një "disavantazh të madh" për lojtarët e tij, për shkak të ajrit më të hollë.
Para ndeshjes së 1/16-ës, Federata Ekuadoriane e Futbollit paraqiti një ankesë në FIFA për sjelljen e tifozëve meksikanë, të cilët i kishin mbajtur lojtarët zgjuar deri në orët e para të mëngjesit me fishekzjarre, zhurmë motorësh makinash, daulle dhe thirrje. Në deklaratën e federatës thuhej: "Kjo sjellje është shumë larg parimeve të lojës së ndershme, barazisë dhe unitetit që duhet të përfaqësojë një Kupë Bote." Raporte të shumta tani pretendojnë se tifozët meksikanë planifikojnë të përsërisin të njëjtën gjë për Anglinë.
Rregullat e FIFA-s përcaktojnë se ekipet duhet të mbërrijnë të paktën 24 orë para ndeshjes, por Anglia ka zgjedhur të mbërrijë dy ditë herët, duke ndryshuar qasjen e mëparshme. Sipas The Sun, disa gazetarë në Meksikë po planifikojnë një lloj sabotimi duke zbuluar hotelin ku do të akomodohet Anglia. Detajet e hotelit janë mbajtur sekret, por gazetarët meksikanë mund të zbulojnë vendndodhjën. Polica lokale pritet të jetë e pranishme, ndërsa sipas The Athletic, masat e sigurisë do të përfshijnë bllokimin e rrugëve përreth hotelit (i cili miratohet rast pas rasti), plus lojtarëve do t’u jepen maska për sytë dhe tapa për veshët për t’i ndihmuar të flenë. Tuchel ka deklaruar: "Ne e presim që të ketë zhurmë jashtë hotelit. Por çfarë mund të bëjmë? Do të marrim tapa për veshët. Pres gjithçka."
Për më tepër, Anglia ka marrë masa të qëllimshme për të shmangur çdo mundësi spiunazhi. Pas fitores ndaj RD Kongos, ekipi u kthyen fillimisht në bazën e tyre në Kansas City në vend që të fluturonte drejtpërdrejt në Meksikë. Sipas Mike Keegan të Daily Mail, baza në Kansas City konsiderohet jashtëzakonisht e sigurt dhe ruhet nga polica, me roje sigurie në pika të ndryshme gjatë çdo seance stërvitore, duke minimizuar rrezikun që plane taktike të dalin jashtë. Anglia pritet të qëndrojë në kryeqytetin meksikan më gjatë se në çdo qytet tjetër në këtë Kupë Botë.
Burim: Insajderi
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.