Shtyhet gjyqi i Veliajt, gjykata gjobit avokatët me nga 100 mijë lekë
Seanca ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, shtyhet për 27 tetor pas bojkotit të mbrojtësve.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe personave të tjerë të përfshirë është shtyrë për datën 27 tetor. Shkak për këtë shtyrje është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës, të cilët po vijojnë bojkotin në shenjë pakënaqësie ndaj rregullores. Për mungesën e tyre në seancë, gjykata ka vendosur gjobitjen e secilit prej avokatëve me nga 100 mijë lekë, shumë kjo që llogaritet se tejkalon 1.000 euro.
Në seancën e zhvilluar nuk ka qenë i pranishëm asnjë nga të pandehurit dhe asnjë prej avokatëve të tyre mbrojtës. Gjatë kësaj faze, prokurori i SPAK-ut, Altin Dumani, kërkoi që gjykimi të vijojë pa praninë e avokatëve nëse ata nuk paraqiten, duke argumentuar se sjellja e tyre mund të trajtohet si heqje dorë nga e drejta për mbrojtje dhe duke iu referuar një precedenti të ngjashëm nga Gjykata e Apelit. Ndërkohë, trupi gjykues ka caktuar mbrojtës të siguruar nga lista e ndihmës juridike falas.