Shqipëria e femrave pëson humbje 1-0 nga Uellsi në Shkodër
Kombëtarja shqiptare e femrave u mund minimalisht nga Uellsi në ndeshjen e parë të plejofit për Kupën e Botës.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kombëtarja shqiptare e femrave u mund minimalisht 1-0 nga Uellsi në stadiumin «Loro Boriçi» të Shkodrës, në ndeshjen e parë në plej of për Kupën e Botës. Fati i përballjes u vendos në minutën e 22-të, kur u shënua autogol pas një aksioni të udhëhequr nga mesfushorja e Southamptonit, Rachel Rowe. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund të takimit, pavarësisht se vajzat kuqezi dhanë gjithçka në fushë nën drejtimin e trajnerit Armir Grima.
Gjatë duelit, të dyja skuadrat patën nga 11 gjuajtje, ndërsa vendaset goditën një herë më shumë në kuadrat dhe u ndaluan një herë nga shtylla. Përfaqësuesja e Uellsit mbërriti në Shkodër me disa mungesa, ndërsa ndeshja e kthimit është planifikuar të luhet më 13 tetor në Kardif ose Llanelli të Uellsit. Në rast kualifikimi pas ndeshjes së ardhshme, Shqipëria e femrave do të kalonte në raundin e dytë të plej ofit për Kupën e Botës, ku do të ndeshej me Rumaninë ose Norvegjinë.