Si po ndikojnë rrjetet sociale në turizmin shqiptar?
Shqipëria ka parë një rritje të madhe të turistëve të huaj falë përhapjes virale të peizazheve të saj në TikTok dhe Instagram
TIRANË — Institucionet dhe bizneset kanë zbuluar fuqinë e përmbajtjeve virale në platformat e mëdha sociale, të cilat po shërbejnë si magnet për tërheqjen e turistëve drejt destinacioneve të caktuara, shkruan media spanjolle “Diario ABC”.
Videot në TikTok, fotografi mahnitëse që bëhen virale në Instagram apo rekomandime nga influencerët, mund ta kthejnë çdo vend në destinacionin më të kërkuar të verës. Zhvillimi i jashtëzakonshëm i rrjeteve sociale ka ndryshuar mënyrën se si planifikohen pushimet, duke krijuar një realitet ku guidat turistike, agjencitë e udhëtimit dhe reklamat tradicionale bashkëjetojnë me përmbajtjet që zbulojmë në ekranin e telefonit.
Për të kuptuar ndikimin e tyre, mjafton të shihet se 70% e të rriturve në Spanjë kalojnë më shumë se 30 minuta në ditë në rrjetet sociale, ndërsa 35% i përdorin ato mbi dy orë në ditë, sipas Shoqatës Spanjolle të Neurologjisë. Këto platforma janë kthyer në një nga burimet kryesore të frymëzimit për planifikimin e udhëtimeve.
Silvia Avilés, drejtoreshë e Samitit të Inovacionit në Turizëm, thekson: “Po bëhet gjithnjë e më e zakonshme që institucionet dhe bizneset turistike të bashkëpunojnë me krijues të përmbajtjes për të promovuar destinacionet. Kur këto bashkëpunime organizohen mirë, ato ndihmojnë që mesazhi të arrijë te grupe të caktuara turistësh, të cilët prezantojnë destinacionin dhe tregojnë përvojat reale që reklamat tradicionale nuk arrijnë t’i përcjellin”.
Një shembull i qartë është bregdeti i Shqipërisë, i cili disa vite më parë përjetoi një shpërthim të madh të numrit të turistëve, të tërhequr nga plazhet mahnitëse dhe çmimet e ulëta që promovoheshin në mijëra video në TikTok dhe Instagram. Vitet e fundit, mijëra video të publikuara ku shfaqen plazhet me ujëra të kristalta dhe çmimet e përballueshme, kanë tërhequr vëmendjen e miliona përdoruesve, duke e kthyer bregdetin shqiptar në një nga destinacionet më të kërkuara në Evropë.
Ky interes është reflektuar edhe në shifra. Gjatë vitit 2025, Shqipëria priti mbi 12,4 milionë vizitorë të huaj, rreth 6,6% më shumë se një vit më parë, duke vendosur një tjetër rekord për turizmin. Më të preferuara nga turistët mbeten destinacionet e Rivierës Shqiptare, si Ksamili, Saranda, Himara, Dhërmiu dhe Vlora, të njohura për plazhet e tyre me ujëra të kthjellëta. Paralelisht, po rritet edhe interesi për turizmin malor, me Thethin dhe Valbonën që tërheqin çdo vit gjithnjë e më shumë vizitorë. Ndërkohë, qytetet me vlera historike dhe kulturore, si Berati, Gjirokastra, Kruja, Shkodra, Butrinti dhe Tirana, vazhdojnë të jenë ndalesa të rëndësishme në itineraret e turistëve vendas dhe të huaj.
Sipas autoriteteve shqiptare, vendi po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një destinacion turistik gjatë gjithë vitit, ndërsa rrjetet sociale kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e vizibilitetit të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të turizmit.
Duke parë në të ardhmen, Javier Cabrerizo, drejtori për Strategjinë, Transformimin dhe Inteligjencën Artificiale në HBX Group, paralajmëron një revolution të ri. “Rreth 40% e turistëve tashmë e përdorin inteligjencën artificiale për planifikimin e udhëtimeve dhe më shumë se 60% janë të gatshëm ta bëjnë këtë”, tha ai. “Mundësia më e madhe nuk është thjesht të rekomandohet një destinacion, por të kuptohet çfarë dëshiron realisht secili turist. IA-ja mund të sugjerojë akomodime, aktivitete dhe itinerare që përputhen me interesat, buxhetin dhe stilin e udhëtimit të secilit”.
Cabrerizo shton se 71% e profesionistëve të sektorit besojnë se inteligjenca artificiale do të përmirësojë produktivitetin dhe përvojën e turistëve, por jo t’i zëvendësojë njerëzit. “Rrjetet sociale do të vazhdojnë të jenë burim frymëzimi, inteligjenca artificiale do ta bëjë më të lehtë kërkimin dhe personalizimin, ndërsa besimi do të vazhdojë të ndërtohet përmes përvojave dhe rekomandimeve njerëzore”, theksoi ai.
Burim: KultPlus, https://kultplus.com/diario-abc-nga-nje-perle-e-fshehur-ne-nje-destinacion-te-famshem-roli-i-rrjeteve-sociale-ne-bumin-turistik-te-shqiperise/
— Redaksia ZHURMA
Të ngjashme
sipas temës · #shqiperiMë të lexuarat sot
Top 10Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.