Çfarë ofron teknikat e reja të neuroendoskopisë?
Klinika e Neurokirurgjisë në QKUK realizoi dy operacione të rëndësishme me sukses duke përdorur neuronavigatorin e një pajisje moderne
— Klinika e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke realizuar për herë të parë operacione të trurit me anë të teknikës së avancuar të neuroendoskopisë. Kjo metodë moderne, e cila është minimalisht invazive, ofron një qasje të re për trajtimin e patologjive të trurit, duke rritur ndjeshëm sigurinë gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale.
Në datat 6 dhe 7 korrik, Klinika e Neurokirurgjisë priti neurokirurgun e njohur nga Gjermania, Dr. Gousias Konstantinos. Ai, së bashku me ekipin e tij profesionist, udhëhoqi këto procedura të rëndësishme. Gjatë kësaj vizite, u realizuan me sukses dy operacione të rëndësishme: një ndërhyrje për heqjen e një tumori të hipofizës dhe një tjetër për trajtimin e një tumori në ventrikulin e tretë të trurit, të dyja me anë të teknikës neuroendoskopike.
QKUK njofton se gjatë të dy operacioneve është përdorur neuronavigatori, një pajisje moderne që ndihmon në rritjen e saktësisë së ndërhyrjeve kirurgjikale, duke ofruar orientim të saktë anatomik. Me anë të neuronavigatorit, ekipi mjekësor arriti të realizojë procedurat me një nivel të lartë sigurie dhe preciziteti, duke përmbushur standardet më të larta të neurokirurgjisë moderne.
Pas operacioneve, të dy pacientët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdojnë trajtimin sipas rekomandimeve të mjekëve. Vizita e Dr. Konstantinos kishte rëndësi të veçantë jo vetëm për suksesin klinik, por edhe për zhvillimin profesional të stafit të Klinikës së Neurokirurgjisë.
Burim: Almakos, https://almakos.com/revolucioni-ne-neurokirurgji-qkuk-implementon-tekniken-moderne-te-neuroendoskopise/
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.