Remitancat shënojnë rekord historik prej 621 milionë eurosh në gjashtëmujor
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë rritje 16.7 për qind të dërgesave nga emigrantët në gjashtëmujorin e parë, me tremujorin e dytë që arriti 347 milionë euro.
Dërgesat e emigrantëve drejt Shqipërisë arritën një nivel të paparë historik gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, duke u mbyllur në 621 milionë euro. Sipas bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, kjo shifër përfaqëson një rritje prej 16.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Përshpejtimi më i ndjeshëm u regjistrua në tremujorin e dytë, kur prurjet arritën në 347 milionë euro, ose 24 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kjo rritje lidhet drejtpërdrejt me shtimin e numrit të shqiptarëve që kanë zgjedhur të jetojnë jashtë vendit.
Që nga viti 2013, remitancat kanë ndjekur një prirje pothuajse të pandërprerë rritëse, e cila u forcua veçanërisht pas vitit 2015. I vetmi përjashtim ishte viti 2020, kur pandemia shkaktoi një rënie të përkohshme të flukseve, para se dërgesat të riktheheshin në rritje me ritme të përshpejtuara.
Edhe të dhënat e INSTAT konfirmojnë rolin e emigracionit si faktor demografik. Migracioni neto ka mbetur negativ gjatë gjithë periudhës 2011-2025, me mesatarisht 30-40 mijë persona të larguar neto në vit. Pas pandemisë, mbi 166 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi në periudhën 2021-2026.