Gazeta popullore shqiptare Abonohu falas →
Ne bëjmë zhurmë 📣
E Shtunë · 25 Korrik 2026 ● Lajmi i fundit
Lajm

Reali fiton Yan Diomanden për 120 milionë euro

Lojtari 19-vjeçar i RB Leipzigut është një nga talentet më të kërkuara në futbollin botëror

Redaksia ZHURMA Përditësuar 22:25 + Ruaj
Reali fiton Yan Diomanden për 120 milionë euro
FOTO · Foto: Yan Diomande Cote D'Ivoire v Ecuador 14 June 2026-17 (cropped) / Wikimedia Commons

MADRID — Reali e përdori Michael Olisen si "karrem", për të fshehur objektivin e tij të vërtetë në merkato – yllin e RB Leipzigut, Yan Diomande. Gjiganti spanjoll është në negociata për një marrëveshje që mund të arrijë deri në 120 milionë euro për reprezentuesin e Bregut të Fildishtë, i cili u shndërrua në një nga talentet më të kërkuara në futbollin botëror pas paraqitjeve mbresëlënëse në Kupën e Botës.

Florentino Perez dhe drejtuesit e Real Madridit janë pranë një tjetër transferimi të bujshëm. Sipas "Diario AS", "Los Blancos" kanë kaluar në krye të garës për anësorin 19-vjeçar të RB Leipzigut, i cili ka zgjuar interesimin e shumë klubeve elitare të Evropës.

Edhe pse Paris Saint-Germain konsiderohej favorit për transferimin e Diomandes dhe thuhet se kishte arritur marrëveshje me lojtarin që më 28 qershor, kampionët francezë nuk arritën të gjenin gjuhën e përbashkët me RB Leipzigun. Edhe Liverpooli ishte lidhur ngushtë me talentin afrikan, por duket se dëshira për të luajtur në "Bernabeu" ka bërë diferencën.

Diomande e njeh mirë futbollin spanjoll, pasi më parë ishte pjesë e Leganesit, para transferimit në Gjermani, gjë që ka lehtësuar negociatat për kushtet personale. Sipas raportimeve, Real Madridi përdori me mjeshtëri zërat për Michael Olisen për të larguar vëmendjen e mediave, ndërsa në prapaskenë po avanconte bisedimet për Diomanden.

Anësori i Bregut të Fildishtë la përshtypje në Kupën e Botës, ku zhvilloi katër ndeshje dhe regjistroi një asist në fitoren 2-0 ndaj Curacaos, përpara se kombëtarja e tij të eliminohej nga Norvegjia në fazën e 1/16-ës. Negociatat hynë në një fazë vendimtare gjatë kësaj jave, kur përfaqësuesit e të dy klubeve u takuan në Gjermani për të diskutuar detajet përfundimtare të marrëveshjes.

Pasi kishin marrë miratimin nga lojtari, drejtuesit e Real Madridit udhëtuan për t'u takuar me bordin e RB Leipzigut, me synimin për të ngushtuar diferencën mes kërkesës dhe ofertës. Klubi spanjoll raportohet se është shumë optimist për finalizimin e transferimit. Marrëveshja përfundimtare mes dy klubeve pritet të mbyllet për një shumë mes 115 dhe 120 milionë eurosh, duke i sjellë RB Leipzigut një fitim të jashtëzakonshëm.

Klubi gjerman e kishte transferuar Diomanden nga Leganesi vetëm një vit më parë për rreth 20 milionë euro, që do të thotë se tani është pranë realizimit të një fitimi spektakolar. Edhe pse Leipzig ka qenë i vendosur në negociata, duke kërkuar një shumë të lartë për lojtarin që ka kontratë deri në vitin 2030, fuqia financiare e Real Madridit duket se ka qenë e mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e klubit gjerman.

Sezonin e kaluar, Diomande zhvilloi 36 ndeshje në të gjitha garat me RB Leipzigun, duke shënuar 13 gola dhe dhuruar 10 asistime. Paraqitjet e tij ishin vendimtare që skuadra gjermane ta përfundonte kampionatin në vendin e tretë dhe të siguronte kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Burim: Gazeta Express
— Redaksia ZHURMA

Të ngjashme

Sport →