Rama publikon pamjet nga momenti i fotos familjare në Dublin
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga samiti i nëntë i Komunitetit Politik Evropian në Irlandë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi dhe pamje nga momenti i realizimit të fotos familjare të Samitit të nëntë të Komunitetit Politik Evropian, i cili u mbajt në Dublin të Irlandës. Në këtë ngjarje morën pjesë presidentë, kryeministra dhe drejtues të tjerë evropianë, përfshirë homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti, presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Në pamjet e shpërndara, Rama shihet mes liderëve të tjerë, teksa në pjesën qendrore të fotos në shkallët lëvizëse shfaqet krah presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Liderët evropianë diskutuan gjatë punimeve të këtij takimi për sfidat e përbashkëta politike dhe të sigurisë së kontinentit. Në fokus të diskutimeve në kryeqytetin irlandez ishin siguria e Evropës, zgjerimi i Bashkimit Evropian, përballja me kërcënimet hibride, siguria energjetike dhe lufta në Ukrainë. Pjesëmarrësit riafirmuan mbështetjen për Kievin përballë agresionit rus, ndërsa samiti shërbeu gjithashtu për takime dypalëshe mes drejtuesve të shteteve, përfshirë edhe takimin e mëparshëm të kryeministrit shqiptar me presidentin ukrainas.