Rama ofendon studentët: Nuk kanë mend, janë kokë boshë
Kryeministri Edi Rama i etiketoi studentët që protestojnë si "komplet kokë bosh" dhe i akuzoi për marrëzi, duke krahasuar situatën me vendet e tjera evropiane.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Kryeministri Edi Rama gjatë një komunikimi live shënjestroi studentët që protestojnë kundër tij, duke i etiketuar si "komplet kokë bosh" dhe duke i akuzuar për marrëzi. Ai ironizoi teoritë e konspiracionit që qarkullojnë rreth protestave, duke thënë se kjo frymë nuk do ta përfshijë popullin shqiptar. Rama krahasoi situatën me vendet evropiane si Francë, Itali, Belgjikë dhe Spanjë, duke thënë se këtu nuk ka si atje, sepse studentët nuk kanë mend në kokë.
"Qershia mbi tortën e kësaj marrëzie janë ushtarët serbë që qenkan nën uniformën e atyre djemve dhe burrave që i kanë pagat sot më të ulëta se të shumëkujt në këtë shtet që marrin gurë me breshëri, që digjen si të ishin armiq të këtij vendi dhe që u dyshokan se qenkan edhe serbë. Kjo është marrëzi, por nuk është kolektive për fat të mirë, dhe nuk ka për ta përfshirë popullin shqiptar, as ata që janë kundër kësaj qeverie sepse këtë film ne e kemi parë." tha Rama.
Siç raportoi Zhurma më 10 korrik, studentët kanë dalë në protestë prej rreth një jave, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit nga posti. Rama i akuzoi gjithashtu për pretendime se mes protestuesve dhe personave të përfshirë në përplasjet me policinë mund të ketë edhe shtetas serbë.