PS propozon shtyrjen e afatit të rivlerësimit të pronave deri në 2027
Partia Socialiste ka depozituar një projektligj në Kuvend për të shtyrë afatin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme deri në fund të vitit 2027.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një nismë ligjore që parashikon shtyrjen e afatit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me normën tatimore 5% deri më 31 dhjetor 2027. Projektligji është propozuar nga deputeti Olsi Komici dhe i është përcjellë për shqyrtim kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa synon të ndryshojë ligjin nr. 85/2025 për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme. Sipas dokumentit, kjo shtyrje vlen si për individët ashtu edhe për personat juridikë, duke u dhënë subjekteve kohë shtesë për të përmbushur procedurat e nevojshme.
Për qytetarët që kanë paraqitur kërkesën pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe kanë paguar tatimin përkatës, por që nuk kanë arritur të mbyllin procedurat për shkak të vonesave administrative, projektligji përcakton një afat shtesë deri më 31 mars 2028 për përfundimin e tyre. Nga ana tjetër, për personat juridikë, diferenca ndërmjet vlerës së rivlerësuar dhe vlerës kontabël për rivlerësimet e kryera gjatë vitit 2027 do të reflektohet në pasqyrat financiare të po këtij viti. Në relacionin shoqërues theksohet se nisma nuk sjell efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit dhe se ajo «synon të lehtësojë përfitimin nga procesi i rivlerësimit, të garantojë përfundimin e procedurave të nisura dhe të sigurojë trajtimin e qartë të rivlerësimeve të kryera nga personat juridikë». Projektligji parashikon të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar



