Çfarë ndodh kur flasim shumë gjuhë?
Studimi zbuloi se njerëzit që flisnin dy gjuhë kishin tru që dukej rreth gjashtë vjet më i ri se ata që flisnin vetëm një gjuhë
— Truri 'rinohet' duke mësuar më shumë gjuhë të huaja! Studimi: Mosha neurologjike ulet deri me 13 vjet. Një studim i ri, i prezantuar në konferencën e Federatës së Shoqatave Evropiane të Neuroshkencës në Barcelonë, zbuloi se ata që flisnin dy gjuhë kishin tru që dukej rreth gjashtë vjet më i ri se ata që flisnin vetëm një gjuhë.
Njerëzit që flisnin tre gjuhë kishin tru që dukej rreth shtatë vjet më i ri, ndërsa për ata që flisnin katër gjuhë, truri i tyre dukej rreth 13 vjet më i ri. Për të arritur këto gjetje, shkencëtarët përdorën inteligjencë artificiale për të përpunuar rezultatet dhe për të llogaritur nivelin normal të lidhshmërisë së trurit në çdo moshë. Gjithashtu, u skanua dhe u krahasua një grup i dytë, i pavarur, prej 144 personash, duke përfshirë numër të barabartë personash që flisnin një, dy, tre ose katër gjuhë.
Truri ynë përbëhet nga miliarda qeliza nervore që komunikojnë me njëra-tjetrën. Por ndërsa plakemi, lidhshmëria në trurin tonë shpesh përkeqësohet, duke shkaktuar rënie të kujtesës dhe shpejtësisë së mendimit.
Shkencëtarë nga Spanja, Kili, Argjentina dhe Dublini krahasuan njerëz që jetonin në rajonin Bask, i karakterizuar nga nivele të larta poliglotizmi, të cilët flisnin spanjisht, frëngjisht, anglisht dhe gjuhën baske.
Për të matur moshën neurologjike, shkencëtarët përdorën magnetoencefalografi për të matur aktivitetin e trurit të 728 personave me mosha dhe aftësi gjuhësore të ndryshme. Studiuesit morën parasysh faktorë si mosha, gjinia dhe arsimi i pjesëmarrësve, por paralajmëruan se nuk mund të përjashtonin ndikimin e faktorëve të tjerë që mund të ndikojnë në trurin, si stili i jetesës dhe angazhimi social.
Dr. Lucia Amoruso nga Qendra Baske për Njohjen, Trurin dhe Gjuhën në San Sebastián tha: “Me fjalë të thjeshta, njerëzit që flisnin më shumë gjuhë kishin tru që dukej më i ri se sa pritej për moshën e tyre kronologjike. Efekti nuk lidhej vetëm me numrin e gjuhëve të folura. Aftësia më e lartë gjuhësore dhe mësimi më i hershëm i një gjuhe të dytë u shoqëruan gjithashtu me plakje më të ngadalësuar të trurit. Kjo sugjeron se përvoja shumëgjuhëshe ka rëndësi si një spektër: nuk ka të bëjë thjesht me të qenit dygjuhësh ose jo, por me thellësinë dhe kohëzgjatjen e përvojës gjuhësore.”
Neuroshkencëtarja Christina Dalla shtoi: “Ky studim sugjeron se mësimi i një gjuhe të dytë, të tretë ose të katërt mund të ndihmojë trurin tonë të qëndrojë më i ri për më gjatë, dhe sa më herët të fillojmë, aq më mirë. Ka shumë arsye të mira për të mësuar një gjuhë tjetër në çdo moshë – sociale, kulturore dhe për shëndetin e trurit, prandaj duhet ta mbështesim mësimin e gjuhëve në shkollë dhe gjatë gjithë jetës, edhe nëse është e vështirë.”
Edhe pse provat sugjerojnë se poliglotizmi lidhet me një rezistencë më të mirë të trurit, Eef Hogervorst, profesoreshë e psikologjisë biologjike në Universitetin Loughborough, bëri thirrje për kujdes, duke theksuar se “mund të ndodhë që njerëzit që flasin shumë gjuhë të kenë gjithashtu stile jetese më të shëndetshme dhe/ose akses më të mirë në mjedise dhe aktivitete mbrojtëse, si leximi, mësimi gjatë gjithë jetës dhe luajtja e instrumenteve muzikore.”
Burim: Shqiptarja, https://shqiptarja.com/lajm/truri-rinohet-duke-mesuar-me-shume-gjuhe-te-huaja-studimi-mosha-neurologjike-ulet-deri-me-13-vjet — Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.