Përplasjet në Tiranë lënë mbi 13 të lënduar; pezullohen efektivët
Protesta në Tiranë shkakton mbi 13 të lënduar, ndërsa policia pezullon disa efektivë pas ngjarjes.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Protesta e nisur prej më shumë se shtatë orësh në Tiranë u shoqërua me përplasje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve. Si pasojë, mbi 13 persona mbetën të lënduar, mes të cilëve policë, gazetarë, protestues dhe kalimtarë. Një prej të lënduarve pësoi dëmtime të rënda në këmbë.
I riu, i dëmtuar në këmbë, u pyet nga gazetarja teksa shoqërohej me barelë në spitalin e Traumës dhe u shpreh se nuk kishte qenë pjesë e protestës, duke pretenduar se ishte dhunuar nga policia. Burime nga spitali i Traumës bënë me dije se gjendja e tij paraqitet e rëndë dhe se dëmtimi i arteries që furnizon këmbën me gjak mund t'i rrezikojë gjymtyrën.
Pas ngjarjes, Policia e Shtetit pezulloi nga detyra katër efektivë dhe shefin e Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, pas publikimit të pamjeve ku shfaqet i riu i dëmtuar. Drejtoria e Standardeve Profesionale nisi hetimin disiplinor ndaj pesë punonjësve të pezulluar, ndërsa verifikimet për sqarimin e rrethanave vijojnë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.