Pacientët përballen me vështirësi në QKMF-në e Drenasit
13 shërbime të kujdesit parësor shëndetësor, përfshirë edhe maternitetin
DRENAS — Qytetarët e Drenasit vazhdojnë të marrin shërbime shëndetësore në një objekt të amortizuar të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ndërsa ndërtimi i objektit të ri ka mbetur pezull për shkak të mangësive serioze në projektin ekzekutiv.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se projekti do të hartohet nga e para, por ende nuk ka një afat për rifillimin e punimeve apo për përfundimin e objektit të ri. Në objektin aktual të QKMF-së në Drenas ofrohen 13 shërbime të kujdesit parësor shëndetësor, përfshirë edhe maternitetin.
Megjithatë, infrastruktura e vjetruar dhe hapësirat e pamjaftueshme po krijojnë vështirësi për stafin shëndetësor dhe pacientët. Drejtori i QKMF-së në Drenas, Ismet Bogiqi, thotë se objekti aktual nuk i përmbush më nevojat e rreth 17 mijë banorëve që mbulon kjo qendër.
Sipas tij, në objektin aktual nuk ka kushte të përshtatshme për punë, ndërsa lifti nuk funksionon prej 12 deri në 13 vjetësh. Për shkak të mungesës së hapësirës dhe vështirësive në qasje, personat e moshuar dhe pacientët me vështirësi në lëvizje përballen me pengesa gjatë marrjes së shërbimeve.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se gjatë zbatimit të projektit në terren janë evidentuar mangësi serioze në projektin ekzekutiv. Sipas Ministrisë, defektet dhe mangësitë e evidentuara janë të tilla që korrigjimet e nevojshme tejkalojnë kufijtë e lejuar me legjislacionin për prokurimin publik.
Për këtë arsye, projekti ekzistues nuk mund të vazhdojë as nga aspekti teknik dhe as nga ai ligjor. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se, në bashkëpunim me Komunën e Drenasit, do të financojë hartimin e një projekti të ri, i cili duhet të jetë i zbatueshëm dhe në përputhje me standardet bashkëkohore për objektet shëndetësore.
Burim: Zëri
— Redaksia ZHURMA