OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse nuk zbatohet ligji për Specialen
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka reaguar komisioneres Marta Kos lidhur me ndryshimet ligjore për Gjykatën Speciale.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka reaguar komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila ka dalë kundër ligj-ndryshimit për Gjykatën Speciale. Në reagim theksohet se ajo duhet të shqetësohet për padrejtësitë në procesin gjyqësor kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, e jo për nismat ligjore të Kuvendit të Kosovës.
OVL-UÇK i ka kërkuar Marta Kosit që t'i trajtojë shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë proces, të cilat sipas organizatës janë evidentuar nga The Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC). Sipas organizatës, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në vendimin KSC-CC-2022 ka konstatuar të drejtën e Kuvendit të Kosovës për të kufizuar juridiksionin përmes ligjit.
Organizata thekson se ky ligj duhet të zbatohet në plotni dhe se nëse nuk fillon zbatimi i tij pas hyrjes në fuqi, veteranët dhe qytetarët do t'i rifillojnë protestat masive para institucioneve të BE-së në Kosovë, duke e cilësuar Kuvendin si institucion sovran, ndërhyrjet ndaj të cilit janë të papranueshme.