Ku i kaloi netët Mussolini gjatë vizitës sekrete në Shqipëri?

Duçja qëndroi 18 ditë në front pa kaluar fare nga Tirana, i bazuar në një repart ushtarak në periferi të Vlorës.

Ku i kaloi netët Mussolini gjatë vizitës sekrete në Shqipëri?
Foto: Wikimedia Commons

VLORË — Gjatë 18 ditëve në Shqipëri, Benito Mussolini i kaloi netët në një repart ushtarak në periferi të Vlorës, që u bë rezidenca e tij, dhe nuk u ndal fare në Tiranë. Duçja zbriti në aeroportin e Tiranës më 2 mars 1941, në orën 10.05, i pritur nga gjenerali Cavallero, Mëkëmbësi i Përgjithshëm Jacomoni dhe gjenerali Ranza.

Pa u ndalur në kryeqytet, por vetëm pak në Ndroq, te komanda e Bersalierëve të Regjimentit të parë Italia, ai u nis menjëherë drejt Rehovës së Beratit. Në Berat u detyrua të qëndronte përkohësisht midis ushtarëve të divizionit "Bari", të vendosur në të dy anët e Urës së Goricës, për shkak të bombardimeve aleate mbi qytetin.

Në orën 15.00 u nis nga Rehova dhe, gjatë rrugës për në Fier, kaloi në revistë divizionin "Siena". Më 3 mars vizitoi Dhëmblanin dhe Tërpanin, kaloi në revistë regjimentin "Lupi di Toscana" dhe regjimentin 67 të Fanterisë të divizionit "Legnano", dhe mori pjesë në një meshë fetare të oficerëve.

Më 4 mars takoi "Këmishat e zeza" që marshonin drejt Beratit, qëndroi në Spitalin Ushtarak nr. 482 dhe hëngri mëngjes me punëtorët që po ndreqnin rrugën për në Ujë të Zi. Më 5 mars vizitoi "vullnetarët" shqiptarë në Devoll dhe hëngri drekë në selinë e AIPA-s në Kuçovë.

Më 6 mars vizitoi spitalin ushtarak të Dhërmit, observatorin detar në Llogara dhe spitalet e Dukatit, duke kaluar në revistë Regjimentin XVIII të Fanterisë "Acqui" dhe Legjionin XV të "Këmishëve të zeza" të Brescias. Më 7 mars u takua me fshatarë, të cilëve u dhuroi një shkollë, duke vënë gurin e themelit.

Më 12 mars shkoi në Elbasan për t'u takuar me gjeneralin Pirzio Biroli, komandant i Armatës IX, ndërsa më 18 mars inauguroi urën mbi Devollin, në Gramsh. Më 20 mars vizitoi spitalet e Krastës dhe arriti deri te liqeni i Ohrit.

Më 21 mars, Duçja u rikthye në Romë "i pakënaqur dhe i dëshpëruar". Vizita synonte të ngrinte moralin e trupave fashiste në frontin grek; për nder të saj u ngrit më vonë një memorial në Tërpanin e Beratit, i cili, si edhe varrezat ushtarake në Uznovë, u prish nga mentaliteti i kohës.

Burim: Shqiptarja
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Tre adoleshente dhunuan e filmuan një 17-vjeçare në Fier
  2. Ku do të ndërtohet spitali i ri i ekselencës në Tiranë?
  3. Largohet sekretari i përgjithshëm i Arsimit, Erzen Tola
  4. Pse u përfshi nga flakët godina e Postës Shqiptare në Gjirokastër?

Vazhdo leximin