Mungesa e kuorumit pengon mbledhjen e Komisionit për Ekonomi
Mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion ka dështuar për shkak të pranisë së vetëm gjashtë anëtarëve në sallë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion nuk ka arritur t'i miratojë pikat e rendit të ditës, pasi në mbledhje nuk ishin të pranishëm mjaftueshëm anëtarë. Në sallë morën pjesë vetëm gjashtë anëtarë të komisionit, ndërsa takimi nisi me 35 minuta vonesë, teksa anëtarët pritën ardhjen e kolegëve të tyre.
Kryetari i komisionit, Arben Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës, u bëri thirrje deputetëve që në mbledhjet e ardhshme të jenë më të përpiktë dhe t'i përmbahen orarit të dakorduar, duke vënë në dukje se deputetët e tjerë kanë mbledhje edhe në komisione të tjera.
«Ju kisha lutë kolegëve deputetë që ta respektoni kohën, për cilën pajtohemi për shkak se jemi me diku 35 minuta vonesë. Deputetët tjerë kanë mbledhje në komisione të tjera, kështu që ju kisha lutë për herë të ardhshme që ta respektojmë kohën për cilën jemi pajtuar bashkërisht. Kemi lënë të martën në orën 10:00 edhe ta respektojmë këtë kohë», tha Mustafa.