Moderatori shqiptar tregon betejën e vështirë shëndetësore
Bledi Strakosha rrëfen periudhën e vështirë në spital dhe ndërhyrjen kirurgjikale pas një hemorragjie cerebrale.
Moderatori dhe gazetari Bledi Strakosha ka kaluar një periudhë të vështirë shëndetësore, e cila e mbajti për 12 ditë nën kujdesin e mjekëve. I ftuar në emisionin “Rudina”, ai rrëfeu momentet e vështira nga shfaqja e simptomave deri te diagnostikimi dhe ndërhyrja kirurgjikale.
“Rreth orës 11 e gjysmë të natës ngrihem nga divani për të shkuar në kuzhinë. Sa ngrihem, më fillon një dhimbje koke si therje, fillimisht në ballë dhe më pas në të gjithë kokën deri në fund të qafës”, tregoi ai. Pasi mjekët që shkuan në shtëpi nuk e konsideruan situatën urgjente, ai shkoi të nesërmen në spital, ku pas analizave dhe skanerit me kontrast u zbulua hemorragjia cerebrale.
Pas ndërhyrjes kirurgjikale, Strakosha e konsideron këtë përvojë si një jetë të dytë dhe theksoi rëndësinë e mosneglizhimit të simptomave të pazakonta. Ai tregoi se ngjarja e ka bërë të reflektojë për shëndetin dhe se synon të nisë një jetë më të shëndetshme, duke u përpjekur të heqë dorë edhe nga duhani.