Ministri Demo dhe drejtori Hita vizitojnë në spital policët e lënduar
Numri i efektivëve të lënduar arrin në 51 pas protestës që nisi para Ministrisë së Arsimit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, kanë vizituar në Spitalin e Traumës punonjësit e policisë të dëmtuar gjatë tubimit. 51 punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar si pasojë e akteve të dhunës gjatë protestës, e cila nisi para godinës së Ministrisë së Arsimit.
Gjatë vizitës, drejtori Hita u uroi punonjësve shërim të shpejtë, i falënderoi për profesionalizmin dhe përmbajtjen përballë sulmeve me gurë, sende të forta dhe bomba molotov nga pjesëmarrës të maskuar, dhe i siguroi për mbështetjen e plotë të institucionit. Nga ana e tij, ministri Demo theksoi përmes një reagimi se dhuna ndaj punonjësve të policisë është e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë, ndërsa u shpreh se e drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna ndaj atyre që mbrojnë rendin nuk mund të jetë pjesë e saj.