Zhurma Press E Mërkurë · 16 Shtator 2026 — Prishtinë · Tiranë · Shkup · Diaspora Treguesi Kërko Ruajtur · 0 Abonohu falas
LIVE · 12:01 60+ burime · klasifikim automatik · mbikëqyrje redaksionale
E fundit Edicioni 07:00 · Mëngjesi
ZHURMA
Jetesa RAJ

Sopranoja arbëreshe Licia Albanese lindi më 30 korrik 1909 në Bari

Arbëreshja nga Bari u bë yll i “Metropolitan Opera” në Nju-Jork, ku e interpretoi rolin e Cio-Cio-San-it mbi 300 herë.

Redaksia ZHURMA 18:12 1 min lexim
Sopranoja arbëreshe Licia Albanese lindi më 30 korrik 1909 në Bari
FOTO · Foto: James Abresch / Wikimedia Commons Arkivi ZHURMA

BARI — Sopranoja arbëreshe Licia Albanese lindi më 30 korrik 1909 në Bari dhe u bë një nga divat më të mëdha të operës botërore të shekullit XX. Emri i saj mbetet i lidhur ngushtë me repertorin e kompozitorëve italianë Xhakomo Puçini dhe Xhuzepe Verdi.

Në vitin 1934 ajo debutoi në Teatrin “Alla Scala” të Milanos, si zëvendësuese në operën “Madame Butterfly” të Puçinit. Sukses i shpejtë e çoi në skenat e Italisë, Francës dhe Anglisë, veçanërisht në rolet e “Carmen” dhe “L’amico Fritz”.

Debutimin te “Metropolitan Opera” në Nju-Jork e bëri më 9 shkurt 1940, në rolin e Cio-Cio-San-it, të cilin do ta interpretonte mbi 300 herë përgjatë karrierës. Kritika e vlerësoi për aftësinë e saktë teknike dhe për zotërimin e metodës italiane të nuancave tekstuale.

Përveç Cio-Cio-San-it, u shqua edhe si Mimi në “La Boheme” dhe si Violeta në “La Traviata” të Verdit, duke kënduar përkrah tenorëve Franco Corelli, Beniamino Gigli, Tito Schipa, Jussi Bjorling dhe Giacinto Prandelli. Ishte këngëtarja e preferuar e dirigjentit Arturo Toscanini. Në vitin 1974 themeloi “Licia Albanese-Puccini Foundation”, për të mbështetur artistë e këngëtarë të rinj.

Më 5 tetor 1995, presidenti amerikan Bill Klinton i akordoi Medaljen Kombëtare të Arteve, ndërsa në vitin 2000 kryebashkiaku i Nju-Jorkut, Rudolf Xhuliani, i dha medaljen Handel, nderimi më i lartë i qytetit. Licia Albanese ndërroi jetë më 5 gusht 2014, në moshën 105-vjeçare.

Burim: KultPlus
— Redaksia ZHURMA

Komentet