kosove

Kush me kë? Qëndrimet e qarta, por pazaret për qeverinë ende larg

Pse partitë politike në Kosovë nuk po nisin negociatat zyrtare për formimin e institucioneve të reja?

Kush me kë? Qëndrimet e qarta, por pazaret për qeverinë ende larg
Foto: Wikimedia Commons

PRISHTINË — Pas një viti e gjysmë paqëndrueshmëri institucionale, zgjedhjet e 7 qershorit hapurë një fazë të re politike në Kosovë, por jo menjëherë edhe procesin e formimit të institucioneve. Partitë politike sinjalizojnë se për këtë do të duhet ende kohë.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila ka dalë forca e parë politike me 42.47 për qind të votave, thotë se nuk do të ketë negociata zyrtare për koalicione të mundshme para përfundimit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. “Është e rëndësishme që ta dimë përfundimisht se cila është përbërja e Kuvendit të ri, e legjislaturës së 11-të”, thotë për Radion Evropa e Lirë Arbërie Nagavci nga kjo parti. Ajo nuk e përjashton kontaktet joformale, por thekson se negociatat serioze mund të nisin vetëm pasi të përfundojë numërimi.

Në këtë fazë, vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shpreh qëndrim të qartë për një koalicion pa LVV-në. Partitë e tjera lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit. PDK-ja, e dyta me 21.43 për qind, nuk vendos vija të kuqe ndaj asnjë subjekti, përfshirë LVV-në. Kryetari i saj, Bedri Hamza, tha më 8 qershor se për institucione të shpejta dhe të qëndrueshme duhet marrëveshje politike “ende pa filluar konstituimi i Kuvendit”.

LDK-ja, me 16.96 për qind, e sheh ndryshe. Nënkryetari Lutfi Haziri e quan “arrogancë politike” çdo vonesë dhe thotë se bisedimet duhet të fillojnë menjëherë, pa pritur certifikimin e rezultateve. Sipas tij, nisma duhet të vijë nga partia fituese.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet t’i shpallë rezultatet përfundimtare më 26 qershor, ndërsa certifikimi të përfundojë deri më 6 korrik. Deri në orën 15:00 të 11 qershorit janë numëruar rreth 90 për qind e votave të kandidatëve për deputetë, por ende nuk janë numëruar votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se vonesat në nisjen e negociatave mund të ndikojnë në funksionalizimin e institucioneve të reja, megjithëse sipas tyre ato mund të bëhen edhe para certifikimit zyrtar të rezultateve.

Burim: Zëri
— Redaksia ZHURMA

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Rexha: KPM-ja e re po kryen fushatë intimidimi ndaj mediave
  2. Çfarë thotë Kurti për "fitorën e pestë" të LVV-së dhe bisedimet koalicionale?
  3. Si synon Kosova të forcojë tregun përmes akreditimit?
  4. Farmacistët kundër specializimit në biokimi, çfarë kërkojnë para Ministrisë?

Vazhdo leximin

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.