Kurti dhe Rrahmani përleshen në Kuvend për orientimin seksual në arsim
Kryeministri Kurti dhe deputeti Rrahmani janë përplasur në Kuvend për edukimin seksual dhe orientimin në shkolla.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Një debat është zhvilluar në seancën e Kuvendit të Kosovës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, gjatë pikës së pyetjeve parlamentare. Përplasja nisi pasi Rrahmani ngriti çështjen e përfshirjes së temave që lidhen me orientimin seksual dhe gjininë në shkolla, duke kërkuar sqarime nga kreu i ekzekutivit për atë që e cilësoi si prezantim të kësaj çështjeje ndër të arriturat e Qeverisë në fushën e arsimit. Deputeti i PDK-së kërkoi respektimin e Rregullores së Kuvendit dhe theksoi se nuk duhet t'i mohohet e drejta për të bërë pyetje e për të diskutuar çështje që i konsideron të rëndësishme, ndërsa rikujtoi ekspozenë katërvjeçare ku përfshirja e mësimit për orientimet seksuale në shkolla ishte paraqitur si sukses.
Në kundërpërgjigjen e tij, kryeministri Kurti i është drejtuar ligjvënësit duke i thënë se po e risjell një variant tjetër të së njëjtës temë. «Edhe një herë deputeti Rrahmani, të arriturat për arsim i gjeni në faqen 20 dhe 21 të kësaj përmbledhje të cilën e kam publikuar dje», ka deklaruar Kurti, replika e të cilit ka shkaktuar të qeshura në Kuvend. Ai shtoi: «Këtu ka shumë gjëra, por unë po e kuptoj, edhe njëherë po e riktheksoj që nuk e mirëkuptoj që ju e risillni edhe një variant tjetër të së njëjtës temë, gjithmonë seksi, gjinia, orientimi seksual, provoni ndoshta t’i mbani mëndet diku tjetër se mbase ndihmon».
Kryeministri renditi gjithashtu disa prej politikave të arsimit, duke përmendur arsimin publik pa pagesë ku mbi 173 mijë studentë në nivelin bachelor dhe master janë liruar nga pagesat. Sipas tij, gjatë mandatit janë ndarë 18 mijë bursa në vlerë prej 20 milionë eurosh, ku rreth 40 për qind e tyre kanë qenë për fushat STEM dhe 90 për qind për gra e vajza. Për më tepër, ai përmendi rritjen e numrit të fëmijëve në çerdhe për 33 për qind, shtimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, bursat për nxënësit nga komunitetet, si dhe shtesat financiare për fëmijët dhe nënat lehonë.
Sipas Klan Kosovës, Rrahmani ka kritikuar vazhdimisht Qeverinë edhe lidhur me Kodin Civil dhe propozimet për martesat mes personave të së njëjtës gjini, si dhe kundër çështjes së sterilizimit të grave mbi moshën 18-vjeçare.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar



