Kur mund t'i certifikojë KQZ-ja zgjedhjet?

Certifikimi mund të përfundojë më 8 korrik nëse vendimet e Supremes nuk përmbajnë obligime për KQZ-në, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Kur mund t'i certifikojë KQZ-ja zgjedhjet?
Ilustrim · Parliament of Republic of Kosovo 2 (CC BY-SA 4.0) / Wikimedia Commons

PRISHTINË — Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 27 qershorit mund të ndodhë më 8 korrik, nëse Gjykata Supreme i hedh poshtë pesë ankesat e paraqitura kundër tyre pa ngarkuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili pret vendimet e Supremes, me obligime shtesë. E njëjta datë shënon edhe përfundimin e afatit ligjor prej pesë ditësh për trajtimin e ankesave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, e shpjegoi kështu procedurën për Kallxo.com: “Nëse vendimet nuk përmbajnë obligime për KQZ-në, mund të procedohet me certifikimin e rezultateve. Ndërkaq, nëse vendimet përmbajnë obligime për KQZ-në, ato do të zbatohen fillimisht, ndërsa më pas do të procedohet me certifikimin e rezultateve.”

Dy kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, kanë dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave për kandidatët e kësaj partie. Më 1 korrik, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ua kishte refuzuar ankesat, me arsyetimin se të dhënat ishin trajtuar tashmë paraprakisht.

Në vendimet për të dy kandidatët, PZAP-i vlerësoi se procedura e ankesave pas shpalljes së rezultatit përfundimtar synon shqyrtimin e pretendimeve të mbështetura në prova konkrete që vënë në dyshim saktësinë e rezultatit të shpallur, e jo rivlerësimin e çështjeve tashmë të shqyrtuara gjatë fazave paraprake të administrimit dhe verifikimit të procesit zgjedhor.

Lista Serbe ka kontestuar te Gjykata Supreme votat e marra nga partia e Nenad Rashiqit (ZSPO) në komuna ku, sipas regjistrimit të popullsisë së Kosovës të vitit 2024, komuniteti serb praktikisht nuk ekziston. KQZ-ja iu përgjigj se pretendimet e saj nuk përbëjnë bazë ligjore për kontestimin e vlefshmërisë së votave apo të rezultatit zgjedhor.

PZAP-i e vlerësoi ankesën e Listës Serbe si të pabazuar, duke u mbështetur te dy parimet kryesore të së drejtës së votës — barazia dhe fshehtësia — pasi lista e votuesve nuk përmban të dhëna për përkatësinë etnike të votuesve.

Në mënyrë të ngjashme, Nova Demokratska Stranka (NDS), e udhëhequr nga Emilija Rexhepi, ka paraqitur dy ankesa të tjera kundër partisë së Rashiqit dhe Koalicionit Vakat, duke pretenduar se këto dy parti kanë marrë vota në vendvotime të caktuara.

Burim: Kallxo
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Kush mori pjesë në ceremoninë e nderimit të SHBA-së?
  2. Çfarë ndodhi në rrugën Ilir Konushevci në Prishtinë?
  3. Aksident i rëndë në Gjakovë, lëndohen 4 persona
  4. Çfarë ndodhi në operacionin e policisë kundër pastrimit?

Vazhdo leximin