Kosova pëson humbje të rëndë në Irlandë dhe mbetet jashtë play-offit
Kombëtarja e Kosovës është mposhtur 3-0 nga Republika e Irlandës në ndeshjen e fundit të Ligës B të Ligës së Kombeve.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Kombëtarja e Kosovës ka pësuar disfatë me rezultatin 3-0 në udhëtim te Republika e Irlandës, në kuadër të xhiros finale për Ligën B të Ligës së Kombeve. Ndeshja u vështirësua ndjeshëm për “Dardanët”, të cilët mbetën me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit me karton të kuq të Kreshnik Hajrizit, pasi ky i fundit e largoi topin me dorë nga vija e portës.
Ky incident solli edhe penalltinë e parë për vendasit, të cilën e konkretizoi Troy Parrott në minutën e 28-të. Situata e ngjashme u përsërit në pjesën e dytë, kur Aro Muric shkaktoi penallti, ndërsa Parrott u tregua sërish i saktë për 2-0 në minutën e 50-të. Goditjen përfundimtare irlandezëve ua dha Moylan, i cili shënoi me kokë pas harkimit të Kitching në minutën e 75-të, ndërsa gjatë pjesës së parë Kosova pati raste edhe përmes Lindon Emërllahut.
Kjo humbje e rëndë bën që Kosova të dështojë në arritjen e objektivit për play-offin e promovimit të mundshëm në Ligën A, duke humbur gjithashtu edhe pozitën në vazon e dytë për kualifikueset e “Euro 2028”, vend që i takon Irlandës. Në përfundim të këtij grupi, Austria avancon si lider me 12 pikë, Irlanda renditet e dyta me tetë pikë, Kosova e mbyll e treta me gjashtë pikë, kurse Izraeli bie në barazh me katër pikë.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar