Kosova mposht Gjeorgjinë në futsall pas një përmbysjeje spektakolare
Kombëtarja e Kosovës në futsall ka shënuar fitore 3:2 ndaj Gjeorgjisë në kualifikimet për Kupën e Botës.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kombëtarja e Kosovës në futsall ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj Gjeorgjisë në kuadër të kualifikimet për Kupën e Botës ose Kampionatin Botëror. Dardanët triumfuan me rezultat 3:2, pasi pjesën e parë e kishin mbyllur në disavantazh prej dy golash, 2:0.
Vendasit kishin kaluar në epërsi përmes Chimakadzes në minutën e katërt, ndërsa Svanidze e dyfishoi epërsinë në minutën e 20-të. Në pjesën e dytë, përfaqësuesja kosovare reagoi fuqishëm dhe arriti ta përmbysë rezultatin. Jeton Rukovci ngushtoi diferencën në minutën e 33-të, katër minuta më vonë Drilon Maxharraj realizoi për 2:2, kurse goli vendimtar erdhi në minutën e 40-të nga Mërgim Dervishaj, i cili kompletoi përmbysjen dhe i dha Kosovës tri pikët.
Raundi i dytë po zhvillohet në Tbilisi të Gjeorgjisë, ku Kosova është pjesë e grupit së bashku me përfaqësuesen vendase dhe Italinë. Ekipi udhëhiqet nga Agon Ramadani. Ndeshjen e radhës, Kosova do ta zhvillojë në muajin nëntor, kur në Prishtinë do të përballet me Italinë.