Konfirmohet ndalimi i Gani Gecit për 48 orë pas kallëzimit për kanosje
Policia ka konfirmuar masën e ndalimit për 48 orë ndaj Gani Gecit, i dyshuar për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Policia e Kosovës ka konfirmuar ndalimin e Gani Gecit për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të kanosjes ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj. Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur më 13 tetor, ndërsa pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.
Gazetari Lirim Mehmetaj kishte deklaruar në emisionin «Debat Plus» se anëtarë të familjes Geci i kishin kërkuar të fshinte ose ta ndryshonte një postim kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci. Sipas tij, pasi ai kishte refuzuar këtë kërkesë, ishte kërcënuar dhe kishte vendosur ta denonconte rastin në Policinë e Kosovës, duke u shprehur se në mëngjes kishte shkuar në polici për të njoftuar rastin.
Gjatë transmetimit të emisionit, moderatori Ermal Panduri kishte bërë të ditur se Gani Geci ndodhej në parkingun e televizionit ku po zhvillohej debati, ndërsa ngjarja lidhet me këto zhvillime dhe kallëzimin e bërë nga gazetari.