Jetullah Haliti ekspozon veprën e tij në Galerinë “Manoir” të Zvicrës
Krijimtaria e artistit kosovar Jetullah Haliti – Eti prezantohet në ekspozitën kolektive ndërkombëtare në Galerinë “Manoir” në Martigny të Zvicrës.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Krijimtaria e artistit kosovar Jetullah Haliti – Eti gjen një hapësirë të re dialogu në Galerinë “Manoir” në Martigny të Zvicrës, në kuadër të një ekspozite kolektive ndërkombëtare. Sipas kritikut të artit Ilir Muharremi, prezantimi i artistit në këtë institucion evropian të artit hap mundësinë për të diskutuar raportin ndërmjet identitetit krijues, simbolikës dhe kërkimit të një gjuhe personale artistike.
Ekspozita organizohet në kuadër të shënimit të 150-vjetorit të themelimit të Galerisë “Manoir”, ndërsa do të hapet më 23 tetor 2026 dhe do të qëndrojë e hapur deri më 15 janar 2027. Artisti Haliti prezantohet me veprën nga cikli “Embrioni i shtatzënisë”, e realizuar më 2024, me teknikë të kombinuar dhe përmasa 51 × 51 centimetra.
Vepra lidhet me konceptin krijues që artisti e identifikon me termin “Profondist”, i cili shërben si një pikënisje për të menduar mbi thellësinë e imazhit, formën, përmbajtjen dhe mundësinë e depërtimit përtej paraqitjes së drejtpërdrejtë.