Komisioni miraton projektligjin e buxhetit dhe atë kundër pastrimit të parave
Komisioni për Integrim Evropian ka miratuar ndryshimet ligjore për buxhetin dhe pastrimin e parave, teksa është kërkuar llogaridhënie më e lartë nga institucionet.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Komisioni për Integrim Evropian ka kaluar me shumicë votash dy nisma të rëndësishme gjatë mbledhjes së fundit. Konkretisht, janë miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, si dhe projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, ky i fundit i shoqëruar me amendamentet e komisionit funksional për përshtatje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Kryetarja e këtij komisioni, Jehona Lushaku-Sadriu, ka theksuar nevojën për një kontroll më rigoroz ndaj organeve zbatuese të ligjit dhe agjendës evropiane. Ajo ka sugjeruar që ministrat e linjës dhe agjencitë e ndryshme publike të thirren për të raportuar rregullisht. Po ashtu, është bërë e ditur se takimi i radhës i komisionit do të zhvillohet të hënën paradite për të diskutuar dhe miratuar planin e punës, ndërsa deputetët janë ftuar të sjellin nisma dhe ide konkrete për këtë agjendë.