KGJK shqyrton dorëheqjet e gjyqtarëve serbë — Haxhiu kërkon epilog
Këshilli do të diskutojë 16 çështje, përfshirë kërkesën e presidentes dhe njoftimet e gjyqtarëve serbë
PRISHTINË — Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) do të mbajë sot mbledhjen e radhës, në të cilin në rend dite është edhe shqyrtimi i kërkesës së Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe i njoftimeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqje të dorëheqjeve.
Sipas Gazeta Express, këshilli do të diskutojë 16 çështje, përfshirë kërkesën e presidentes dhe njoftimet e gjyqtarëve serbë. U.d. presidentja Albulena Haxhiu përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 tek kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli t'i japë epilog çështjes së dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës i komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.
Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës në takimin e mbajtur më 20 korrik 2026 ka refuzuar tëheqjen e dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafit mbështetës serb brenda sistemit prokurorial, duke i dërguar tek u.d. presidentja për lirim nga detyra. Haxhiu një ditë më pas (21 korrik) njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirim nga detyra të shtatë prokurorëve serb, të cilët kishin ofruar dorëheqjet më 2022.
BE-ja është e shqetësuar nga vendimi i djeshëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet që ishin tërhequr tashmë dhe nga vendimi i sotëm i ushtrueses së detyrës së Presidentes, që dekretoi dorëheqjet. Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë.
Burim: Gazeta Express, https://www.gazetaexpress.com/kgjk-shqyrton-sot-kerkesen-e-haxhiut-per-ti-dhene-epilog-ceshtjes-se-doreheqjeve-te-gjyqtareve-serbe/
— Redaksia ZHURMA