Këshilli i Qytetit të Nju-Jorkut miraton 28 Nëntorin si festë zyrtare
Rezoluta historike e miratuar më 19 nëntor e përfshin 28 Nëntorin në kalendarin e përhershëm të njohjeve zyrtare të qytetit amerikan.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Këshilli i Qytetit të Nju-Jorkut ka miratuar rezolutën me numër 0186-2026 gjatë mbledhjes plenare të mbajtur më 19 nëntor, duke e njohur zyrtarisht 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në metropolin amerikan. Nisma u ndërmarrë nga këshilltarja e qytetit Amanda C. Farías dhe u mbështet nga kolegët Shirley Aldebol, Farah N. Louis dhe Frank Morano, të cilët vlerësuan kontributin e mbi 100 mijë banorëve me prejardhje shqiptare që jetojnë në pesë lagjet administrative, me ndikim të veçantë në Bronx dhe Staten Island. Ndonëse ky vendim nuk e shpall 28 Nëntorin ditë pushimi zyrtar, ai vendos historinë kombëtare shqiptare dhe flamurin kuqezi në kalendarin e përhershëm të kryeqendrës botërore pas dekadash sakrifice e integrimi të diasporës.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka përshëndetur vendimin përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, duke shprehur mirënjohjen për shqiptarët e Nju-Jorkut. «Nga Prishtina, e përshëndes këtë vendim dhe u shpreh mirënjohjen time shqiptarëve të Nju-Jorkut. Me punën dhe përkushtimin tuaj, keni fituar respektin e qytetit dhe i keni dhënë brezit të ri një arsye më shumë për t’u krenuar me rrënjët e veta», u shpreh Rama, duke shtuar se familjet shqiptare ndër vite e kanë ruajtur këtë festë në shtëpitë e tyre duke u mësuar fëmijëve gjuhën dhe historinë.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar


