Joseph: Dialogu Kosovë-Serbi të rifillojë me çështjen e të zhdukurve
Profesori amerikan Edward P. Joseph ka kërkuar rifillimin e shpejtë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke sugjeruar trajtimin e personave të zhdukur.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Në një intervistë për mediumin serb «Radar», profesori amerikan Edward P. Joseph ka deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet «t’i përmbushë plotësisht obligimet kushtetuese ndaj komunitetit serb». Sipas tij, kjo është e nevojshme në mënyrë që serbët të gëzojnë të drejta të barabarta dhe të kenë perspektivë në vend.
Duke trajtuar çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Joseph ka theksuar se Kosova duhet të marrë përgjegjësi për këtë proces, ndërsa ka vlerësuar se ekziston mundësia e kthimit të serbëve të larguar. Ai ka kërkuar një rifillim të shpejtë të bisedimeve ndërmjet dy shteteve, duke propozuar që në qendër të vendoset fillimisht çështja e personave të zhdukur gjatë luftës.
Sipas Joseph, arritja e rezultateve konkrete dhe përparimi në këtë çështje humanitare për familjet e të zhdukurve mund të ndikojnë në përmirësimin e atmosferës politike, duke krijuar njëkohësisht kushtet e duhura për avancim edhe në temën e Asociacionit.



