Kush u sulmua nga qenë endacakë?
76-vjeçarja Ilmije Gjikolli u sulmua nga katër qenë endacakë në Prishtinë dhe tani kërkon kompensim
— Tre muaj më parë, teksa po kalonte në një lagje afër magjistrales Prishtinë-Ferizaj, Ilmije Gjikolli, 76-vjeçarja nga Prishtina, u sulmua nga katër qenë endacakë. Gjikolli thotë se ka marrë trajtimin në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) ku dhe ishte shtrirë, dhe se ende i duhet të ndjekë kontrollle mjekësore, sepse ka dhimbje nëpër trup. “Isha duke shkuar, axha Nesim vdiq, isha afër shtëpisë gati me hy brenda. Unë nuk i kam parë as nuk i kam dëgjuar. Unë mendova që kam shkelë në diçka edhe jam rrëzu, e ata më kanë hipur sipër, katër qenë kanë qenë. Edhe nuk kam ditë, mendova që u rrëzova, dhe kur më ka kap qeni në këmbë, kur e kam kthy kokën katër kishin qenë ata”, tregon ajo.
Gjikolli tregon se plagët po i shkaktojnë probleme shëndetësore, duke e vështirësuar jetën e saj të përditshme. “Kurrë nuk kam mundur me flejtë, pasi që më kanë sulmuar qentë. Kurrë nuk mundem me flejtë. Duhet me pijë këtë (medikament v.j.), ndoshta mundem me flejtë. Me ecë, eci ngapak, por e kam problem, si me ecë duke çalu”, është ankuar Gjikolli. E bashkëshorti i saj, Ismajl Gjikolli, thotë se do t’i drejtohet gjykatës, sepse siç pretendon ai, ankesa për kompensim me para nga Komuna, i është refuzuar dy herë. Gjikolli thotë se ankesa e tyre është adresuar nga shoqata e pensionistëve. “Jam shku m’u anku. Shumë mirë më kanë pritë në nivelin më të lartë. Iia kanë shkruar ankesën. E kam dorëzu. Shkova me kërku nëse e kanë shqyrtu. Më thanë: ta kanë refuzuar ankesën”, thotë ai. “Kanë me u përgjigj para gjyqit”.
Policia për rajonin e Prishtinës thotë se deri tash gjatë këtij viti janë regjistruar 47 raste të qytetarëve të sulmuar nga qentë në Prishtinë. “Në Drejtorinë e Policisë së Kryeqytetit, gjatë këtij viti janë paraqitur 47 raste që kanë të bëjnë me sulme nga qentë endacakë. Kurse për rastet janë informuar edhe institucionet relevante”, thuhet në një përgjigje të Policisë. Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë përgjigje për këtë çështje, pavarësisht se KOHA ka dërguar pyetje lidhur me masat që do të ndërmerren për zgjidhjen e këtij problemi.
Ndërsa sa i përket numrit dhe trajtimit të pacientëve të prekur nga sulmet e qenve endacakë, QKUK-ja nuk ka dhënë përgjigje. Deri tash janë ndërmarrë disa aksione dhe janë aplikuar një numër politikash për qentë endacakë, por zgjidhje ende nuk është bërë.
Burim: Koha.net, https://www.koha.net/arberi/kryeqyteti-se-kompenson-76-vjecaren-qe-u-sulmuar-nga-kater-qen-endacake
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.