Hita: Protestat studentore janë organizuar nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm
Kreu i Policisë së Shtetit deklaroi se protestat e fundit janë orkestruar për qëllime të errëta dhe se pjesëmarrësit e dhunshëm nuk janë studentë të vërtetë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka bërë të ditur gjatë një konference për shtyp se tubimet e fundit janë nxitur nga faktorë të brendshëm e të jashtëm. Sipas tij, «pas maskave qe udhëheqin protestën me shembullin e dhunës, nuk janë studentë, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errëta të organizatorëve të vërtetë të kësaj proteste, brenda e jashtë vendit».
Hita theksoi se gjatë natës së parë të tubimeve ku u vunë në pranga 16 të rinj, asnjë prej tyre nuk ishte student, ndërsa në natën e dytë numri i studentëve mes të ndaluarve ishte shumë i vogël. Hita deklaroi se gjatë gati 72 orëve të fundit kryeqyteti është përballur me akte dhune, hedhje të koktejeve Molotov, dëmtime të pronës publike e private, si dhe plagosjen e 71 punonjësve të policisë.
Protestat, të cilat u përshkallëzuan gjatë fillimit të javës, janë zgjeruar edhe në qytete të tjera të vendit ku janë shënuar marshime dhe bllokime rrugësh. Ndërkohë, kreu i policisë u ka bërë thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve që të mos lejojnë përfshirjen e nxënësve dhe studentëve në akte të tilla.