Pse nisën gjyqtarët porotë protestën në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit?
Gjyqtarët porotë kërkojnë rritje të kompensimit ditor dhe zgjidhje të problemeve të paraqitura nga Ministria e Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor
SHKUP — Gjyqtarët porotë në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit kanë nisur nga data e 7 korrik 2026 një protestë paqësore dhe nuk do të marrin pjesë në një pjesë të seancave gjyqësore, për shkak të problemit shumëvjeçar me kompensimin e tyre ditor dhe moszgjidhjes së kërkesave të paraqitura ndaj Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor. Për këtë, ata e kanë njoftuar edhe Gjykatën Penale gjatë ditës së 6 korrik, ashtu siç transmeton Portalb.mk. Edhe pse janë fizikisht paraqitur në vendin e punës, gjyqtarët porotë nuk do të marrin pjesë në gjykime, për çka një numër i konsiderueshëm i seancave do të shtyhen.
Përjashtim bëjnë lëndët “Bellanoca”, “Talir” dhe “KSHPK”, të cilat do të zhvillohen normalisht, pasi në rastet “KSHPK” dhe “Talir” nuk marrin pjesë gjyqtarë porotë, por gjykohen nga një gjyqtar i vetëm. Në njoftimin e tyre, gjyqtarët porotë theksojnë se kompensimi i tyre ditor prej 570 deri në 670 denarë nuk është ndryshuar prej vitesh, pavarësisht numrit të lëndëve, kompleksitetit të procedurave dhe kohëzgjatjes së angazhimit të tyre. Sipas tyre, ky kompensim nuk pasqyron përgjegjësinë dhe rëndësinë e funksionit që ushtrojnë, madje nuk mbulon as shpenzimet bazë që lidhen me praninë e tyre në gjykatë. Ata theksojnë se gjatë dy viteve të fundit u janë drejtuar në disa raste Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor me kërkesa për zgjidhjen e këtij problemi, por deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë masë konkrete. Për këtë arsye, ata kanë vendosur të organizojnë një protestë paqësore.
Gjykata Themelore Penale e Shkupit, në njoftimin e saj, thekson se të gjitha seancat që do të shtyhen gjatë ditës së sotme për shkak të mungesës së gjyqtarëve porotë do të ricaktohen në afatin më të afërt të mundshëm, për të cilin palët do të njoftohen, me qëllim që të shmanget zvarritja e panevojshme e procedurave. Sa u përket kërkesave të gjyqtarëve porotë, gjykata vlerëson se roli i tyre është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe se përkushtimi, përgjegjësia dhe kontributi i tyre janë të domosdoshëm për zhvillimin e drejtë dhe ligjor të një numri të madh procedurash gjyqësore. Pa pjesëmarrjen e tyre, një pjesë e konsiderueshme e gjykimeve nuk mund të zhvillohet pa pengesa. Gjykata shpreh mirëkuptim për pakënaqësinë e tyre, duke vlerësuar se gjyqtarët porotë meritojnë një kompensim dinjitoz dhe të përshtatshëm, i cili pasqyron rëndësinë e funksionit që ushtrojnë. Njëkohësisht, Gjykata pret që Ministria e Drejtësisë të ndërmarrë sa më shpejt ndryshimet në Rregulloren për kompensimet e gjyqtarëve porotë, me qëllim krijimin e kushteve për tejkalimin e situatës së krijuar. “Gjykata Themelore Penale e Shkupit konsideron se kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogut institucional dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, pasi zgjidhja e saj në kohë është në interes të gjyqtarëve porotë, gjykatave dhe, mbi të gjitha, qytetarëve që presin funksionim efikas, të pandërprerë dhe të rregullt të sistemit gjyqësor”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale të Shkupit.
Burim: Portaleb, https://portalb.mk/
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.