Gjykata e Tiranës vendos ekstradimin e aktivistes Julide Yazici drejt Turqisë
Aktiviste kurde e akuzuar për lidhje me organizatë terroriste, e arrestuar në Rinas, u vendos ekstradimi drejt Turqisë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
TIRANË — Gjykata e Tiranës ka vendosur ekstradimin drejt Turqisë të aktivistes turke Julide Yazici, 32 vjeç, e arrestuar në Rinas në fillim të gushtit. Ajo është dënuar nga drejtësia turke me 4 vite burgim për lidhje me një organizatë terroriste, por thotë se përndiqet politikisht për shkak të qëndrimeve kundër presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. Yazici, mësuese dhe aktiviste për të drejtat e kurdëve, ka përfituar azil politik në Francë dhe ka kundërshtuar ekstradimin, duke pretenduar se kthimi në Turqi do t’i rrezikonte jetën.
Dy muaj më parë, Gjykata e Apelit kishte lënë në fuqi masën e sigurimit “arrest në burg” për Yazici, e cila u arrestua teksa udhëtonte nga Franca drejt Shqipërisë. Sipas autoriteteve turke, ajo është shpallur në kërkim nga Interpol për pjesëmarrje në protesta kundër qeverisë turke dhe për dhënie ndihme logjistike për një organizatë të ndaluar. Për këto akuza, Yazici është dënuar në mungesë me 4 vite burgim, me 3 vite, 5 muaj e 22 ditë të mbetura për të vuajtur.