Gjykata e Tiranës lë në burg aktivisten Julide Yazici — rrezikon ekstradimin në Turqi
E kërkuara nga Turqia për lidhje me terrorizmin u arrestua në Rinas, ndërsa avokatët pretendojnë se ajo rrezikohet si e persekutuar politike.
TIRANË — Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg" për aktivisten turke Julide Yazici, e cila u arrestua më 5 gusht në aeroportin e Rinasit medhe me qëllim ekstradimin e saj drejt Turqisë. Vendimi u mor pas kërkesës së prokurorit Francesk Ganaj dhe u pranua nga gjyqtari Kujtim Vraniçi.
Turqia e kërkon 32-vjeçaren pasi ajo është dënuar nga Gjykata e Stambollit me 4 vite e 2 muaj burgim. Akuzat ndaj saj përfshijnë dhënien e ndihmës logjistike për një organizatë terroriste dhe pjesëmarrjen në grupe terroriste. Yazici, me profesion mësuese, ka marrë pjesë në protestat kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.
Në seancën gjyqësore të mbajtur në kryeqytet, aktivistja turke u përfaqësua nga dy avokatë mbrojtës, një shqiptar dhe një turk. Ky i fundit njoftoi zyrtarisht Ambasadën e Francës në Tiranë mbi procedurat e ekstradimit të saj, për shkak të lejes së qëndrimit franceze të cilën ajo e gëzon.
Mbrojtja argumentoi para trupit gjykues se 32-vjeçarja është një e persekutuar politike për shkak të pjesëmarrjes së saj në protestat kundër presidentit Erdogan. Sipas avokatit të saj, nëse vendoset për dërgimin e saj në Turqi, jetës së aktivistes i kanoset një rrezik serioz për shkak të bindjeve dhe veprimtarisë së saj.
Burim: Gazeta Si
— Redaksia ZHURMA




