Gjykata lë në burg dy të dyshuarit për atentat në Sarandë — nuk tregojnë shënjestrën
Tre të rinj të tjerë u lanë në arrest shtëpie për moskallëzim krimi, ndërsa policia sekuestroi dy pistoleta, njëra prej tyre me silenciator.
SARANDË — Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Alfred Kajën dhe Sidorel Morisenin, ndërsa la në “arrest shtëpie” tre të rinj të tjerë. Pesë personat u arrestuan në fshatin Gjashtë nën dyshimin se po bënin pritë me armë zjarri për të kryer një atentat kriminal.
Sipas policisë, Kaja 26-vjeçar dhe Moriseni 33-vjeçar u kapën në një zonë pa ndriçim teksa po nxirrnin nga makina dy armë pistoletë, përfshirë një me silenciator. Në një automjet tjetër pranë tyre ndodheshin Vitrin Hoxha, Franko Bobja dhe Vionis Poka, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi.
Grupi i dyshuar u arrestua në një rrugicë pranë shtëpisë së Rexhep Ismailit, i cili u ekzekutua me plumb në kokë më 7 maj të këtij viti. Hetimet tregojnë se Ismaili ishte vrarë duke mbrojtur mikun e tij Viktor Rucin, person me precedentë penalë.
Asnjë nga të dyshuarit, përfshirë të arrestuarit Vitrin Hoxha, Franko Bobja dhe Vionis Poka, nuk ka treguar detaje se kush ishte shënjestra e tyre. Dy personat kryesorë, Kaja dhe Moriseni, mbeten në paraburgim nën akuzat për armëmbajtje pa leje të pistoletave që posedonin në fshatin Gjashtë.
Burim: Shqiptarja
— Redaksia ZHURMA




