Gjorgjievski: Çmimet e banesave në Shkup janë të palogjikshme
Kryetari i Shkupit thotë se metri katror ka kaluar dy mijë euro dhe kërkon përgjegjësi nga sektori i ndërtimtarisë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
SHKUP — Çmimet e banesave në kryeqytetin e Maqedonisë janë vlerësuar si tepër të larta dhe të palogjikshme nga kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski. Gjatë një paraqitjeje në emisionin «Klik Plus» në TV21, ai ka theksuar se shtrenjtimi i pronave të paluajtshme nuk është plotësisht i arsyeshëm dhe se rritjen e madhe në tregun e patundshmërive e ka ndjerë edhe vetë. Duke marrë si shembull banesën e blerë dikur në Kisella Vodë, ku metri katror kushtonte afër 1.000 euro, ai bëri të ditur se tashmë çmimi ka kaluar shifrën prej 2.000 eurosh.
Gjorgjievski ka shtuar se i kupton arsyet e rritjes së kostove në ndërtimtari, siç janë materialet, karburanti dhe fuqia punëtore, por konsideron se një shtrenjtim i mëtutjeshëm bëhet i papranueshëm. Sipas tij, kjo rëndon situatën në kohën kur shteti synon t'i mbështesë çiftet e reja për të siguruar një kulm mbi kokë dhe për të krijuar familje. Kreu i komunës ka kërkuar nga kompanitë ndërtimore që të tregojnë përgjegjësi dhe të mos ndërmarrin hapa që neutralizojnë efektin e masave shtetërore ndihmëse.


