Cili duhet të japë dorëheqje?
Pas kritikës ndaj vendimit për suspendimin e disa punonjësve shëndetësorë dhe denoncimin e nënës nga ambientet e klinikës
— PRISHTINË — Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, reagoi pas zhvillimeve në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, duke e vlerësuar gjendjen e krijuar si pasqyrim të problemeve të thella në sistemin shëndetësor, përcjell Gazeta Metro. Gjini mbështeti nënën që publikoi pamjet nga ambientet e klinikës, ndërsa kritikoi vendimin për suspendimin e disa punonjësve shëndetësorë, duke thënë se përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te nivelet e mesme të stafit.
Sipas tij, kushtet në Pediatri tregojnë për mangësi të vazhdueshme infrastrukturore dhe mungesë të furnizimeve bazë, për të cilat, sipas tij, duhet të japin llogari drejtuesit e institucioneve, “Nuk ka pej, as barna esenciale, dyshekët me 10 vjet të vjetër, janë të palyera dhomat, nuk ka ujë në shumicën e dhomave, pikë tavani”.
Gjini ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi destinacionin e buxhetit të shtetit duke pyetur publikisht: “400 milionë ku janë tu shku, a i intereson dikujt?”, tha Gjini. Ai kundërshtoi që vëmendja të përqendrohet vetëm te infermierët dhe mbikëqyrësit, duke argumentuar se problemet burojnë nga mënyra e menaxhimit të institucioneve shëndetësore.
Gjini shtoi se, nëse drejtuesit nuk kanë qenë në dijeni për gjendjen në klinikë, kjo tregon paaftësi në menaxhim, ndërsa nëse kanë qenë të informuar dhe nuk kanë ndërmarrë veprime, sipas tij, bëhet fjalë për mungesë përgjegjësie. “A po dojnë me thanë që drejtori e ministri se kanë ditë? Këta duhet me dhanë dorëheqje, sepse nëse nuk e kanë ditë janë të paaftë me kry punën, nëse e kanë ditë e s’kanë bo kurgjo nuk po u intereson, shkon kjo piramidë”, delaroi Gjini.
Ai përfundoi duke thënë se rasti në Pediatri nuk duhet parë si një incident i veçuar, por si një tregues i problemeve më të gjera brenda sistemit shëndetësor.
Burim: Gazeta Metro, https://gazetametro.net/gjini-kerkon-doreheqjen-e-ministrit-dhe-drejtorit-pas-rastit-ne-pediatri-deshtim-i-sistemit/
— Redaksia ZHURMA




Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.